Fuqia e studentëve në numra – 45 studentë për 1000 banorë, në BE vetëm 38. Jemi rast unik në kontinent!

Protestat e studentëve kanë risjellë në vëmendje fuqinë që të rinjtë, e sidomos ata që vazhdojnë studimet e larta, realisht kanë. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Scan”, rezulton se, Shqipëria është një ndër 10 vendet me fuqinë më të madhe të studentëve në Europë.
Vendi ynë numëron 130 mijë studentë që ndjekin arsimin e lartë, ose 45 të tillë për 1000 banorë. Vendet europiane që kanë një shifër më të lartë se kjo numërohen vetëm me gishtat e dorës. E për më tepër, këto vende në pjesën dërrmuese, me vetëm një përjashtim i referohen vendeve më të zhvilluara të Europës, me një ekonomi shumë larg asaj tonës dhe me një nivel mirëqënie për t`u marrë si shembull. Shqipëria, duke marrë parasysh masën e ekonomisë është rast unik në Europë.
As në rajon nuk ka fare garë, pasi Shqipëria rezulton të jetë vendi me fuqinë më të madhe të studentëve. Ndërkohë që vendi ynë ka 45 studentë për 1000 banorë, mesatarja e Bashkimit Europian fiksohet në 38 studentë për 1000 banorë. Por hulumtimi jonë nuk është i kufizuar vetëm në Bashkimin Europian.
Vendet që kanë një fuqi më të madhe se ne, të studentëve janë: Greqia me 62.5 për 1000 banorë, Danimarka me 53.9, Finlanda me 52, Islanda me 50.3, Norvegjia me 50.3, Lituania me 50, Hollanda me 48.6 dhe Austria me 48 studentë për 1000 banorë. Pra, siç duket qartë, të gjitha këto vende kanë një zhvillim ekonomik larg nivelit tonë.
Nga ana tjetër, pra më keq se ne, janë të gjitha vendet e tjera europiane me radhë, ndër të cilat edhe: Italia, Britania e Madhe, Gjermania, Spanja, Portugalia, Suedia, Zvicra, etj. Rezultati më i dobët është i Rumanisë me vetëm 27.5 studentë për 1000 banorë.
Pra, shifrat tregojnë qartë se, fuqia e studentëve në Shqipëri është e madhe, duke e vendosur në 10 vendet e para në Europë në këtë drejtim, dhe numrat janë një pjesë mjaft e rëndësishme e fuqisë së ndryshimit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.