Fuqizimi i ekonomisë europiane, FMN: Nuk po shfrytëzohet për të ulur deficitet dhe zbatuar reformat
Fondi Monetar Ndërkombëtar, deklaroi se rritja ekonomike në Europë është e fortë, falë kërkesës së brendshme, por shtoi se qeveritë nuk po përfitojnë nga kjo performancë për të ulur borxhet dhe zbatuar reformat.
Fondi parashikoi se rritja ekonomike në ekonomitë e mëdha europiane, kryesisht në Eurozonë, do të ngadalësohet në 2.3% këtë vit nga 2.4% në 2017-ën, përpara se arrijë 2% në vitin 2019.
“Ndërkohë që perspektiva vazhdon të përmirësohet në afat-shkurtër dhe në afat-mesëm nuk është aq pozitive, politikëbërësit duhet të përfitojnë duke përmirësuar financat dhe zbatuar reformat, që të rrisin potencialin ekonomik”, deklaroi FMN.
Pavarësisht rritjes së fortë ekonomike, disa prej ekonomive më të mëdha të Eurozonës si Franca, Italia apo Spanja, kanë reduktuar në mënyrë të ngadaltë defiçitet në buxhet, ndërkohë që vende të tjera si Belgjika kanë mbushur hendekun.
“Duke balancuar deficitet, stimujt fiskalë mund të përdoren përsëri, nëse materializohen rreziqet”, deklaron Fondi.
Sipas Organizatës, rritja e fortë ekonomike ofron një mundësi për një integrim më të shpejtë ekonomik të Eurozonës, kryesisht nëpërmjet përfundimit të unionit bankar, që përfshin tashmë një mbikëqyrës të vetëm për bankat dhe një autoritet të rezolutës, por që i mungon një skemë e përbashkët e sigurimit të depozitave.
Ndërkohë që Britania del në Mars të 2019-ës, Bashkimi Europian duhet të përshpejtojë ndërtimin e një unioni të tregut të kapitalit, për të zgjeruar alternativat e financimit për sipërmarrjet e vogla e të mesme, harmonizuar ligjet dhe mbrojtur të drejtat e investitorëve përtej kufijve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.