Fuqizimi i euros pritet të vazhdojë – Një nivel prej 1.25 dollarë do të shqetësonte BQE

Euro do të ruajë fuqizimin e fundit në 12 muajt e ardhshëm, tregon një sondazh i analistëve të këmbimit valutor, të cilët thonë se një rritje tjetër me 5% do të shqetësonte Bankën Qendrore Europiane.
Deri më tani për vitin, valuta e përbashkët është fuqizuar me 13% kundrejt dollarit amerikan. Nëse kjo ecuri vazhdon deri në fund të 2017-ës, atëherë do të ishte performanca më e mirë vjetore që prej vitit 2003.
Megjithatë, euro projektohet të tregtohet në nivelin që ishte ditën e Mërkurë prej 1.19 dollarë në një periudhë 1-vjeçare, sipas një anketimi nga Reuters të 60 analistëve të këmbimit valutor.
Fuqizimi i euros është mbështetur nga rritja e fortë ekonomike në Eurozonë, që ka marrë nxitje nga pritshmëritë se BQE do të reduktojë programin e stimujve.
Eurostat konfirmoi këtë javë se rritja ekonomike për tremujorin e dytë rezultoi në 2.3% me bazë vjetore.
Valuta e fortë ka shtuar gjasat e një reduktimi më të ngadaltë të programit të blerjes së aktiveve të BQE. Euro e fortë bën importet më të lira, duke reduktuar inflacionin që qëndron aktualisht në 1.5%, poshtë objektivit të institucionit në Frankfurt.
Analistët e anketuar thanë se niveli prej 1.25 dollarë do të shqetësonte zyrtarët e Bankës Qendrore, që është rreth 5% sipër nivelit të sesionit tregtar të ditës së Mërkurë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.