Fuqizohet ekonomia kineze – Thyen projeksionet në T2, tregjet i mirëpresin të dhënat

Ekonomia e dytë më e madhe në botë është rritur sipër projeksioneve në tremujorin e dytë, nxitur nga prodhimi industrial, konsumi dhe investimet. Analistët presin ende një ngadalësim në pjesën tjetër të vitit, ndërkohë që politikëbërësit në Kinë përpiqen të reduktojnë riskun financiar.
Ekonomia u rrit me 6.9% në tremujorin e dytë, me bazë vjetore, normë e njëjtë me tremujorin e parë, raporton zyra Kombëtare e Statistikave. Kjo normë ishte sipër projeksioneve të analistëve për rritje me 6.8%.
Me bazë tremujore, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 1.7%, krahasuar me 1.3% që ishte në tremujorin e parë.
“Në total, ekonomia ka vazhduar në progres për gjysmën e parë të vitit, megjithatë, pasiguritë ndërkombëtare përbëjnë ende rrezik, ndërsa krijimi i pabarazive të brendshme strukturore vazhdon”, deklaron Zyra e Statistikave.
Qeveria synon një normë të rritjes ekonomike në rreth 6.5% për 2017, në rënie nga 6.7% që ishte në 2016-ën, kur u regjistrua dhe rritja më e dobët në 26 vite.
Prodhimi i fabrikave u rrit me 7.6% me bazë vjetore, ndërsa investimet në aktive fikse u zgjeruan me 8.6% në 6 muajt e parë të vitit.
Gjithashtu, shitjet me pakicë u rritën me 11%, norma më e shpejtë që prej Dhjetorit të 2015-ës. Rimëkëmbja e kërkesës globale për produktet kineze mund të mbështesë vendin, ndërkohë që liderët përpiqen të përmbajnë rritjen gjigante të borxhit, që është fryrë në 277% në raport me PBB.
Tregjet e kapitalit patën performancë pozitive pas publikimit të të dhënave për ekonominë e dytë më të madhe në botë. Indekset e titujve të kapitalit në Azi u mbyllën në rritje, gjatë sesionit të parë të javës, përveç indeksit të Shangait, që rikuperoi humbjet e mëparshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.