Fuqizohet ekonomia spanjolle – Rritet me 3.1%, arrin nivelin përpara recesionit të 2008-ës

Rritja e ekonomisë spanjolle është përshpejtuar në tremujorin e dytë, duke ecur në linjë me projeksionet se Produkti i Brendshëm Bruto do të zgjerohet me të paktën 3% për të tretin vit radhazi, falë rritjes së eksporteve dhe shpenzimeve nga ekonomitë familjare.
Ekonomia e katërt më e madhe në Eurozonë u rrit me 0.9% në tremujorin e dytë nga i pari, tregon instituti kombëtar i statistikave.
Në vlerë, ekonomia spanjollë është rritur sipër nivelit të para-krizës në vitin 2008, kur trazirat në tregun e pronave e çuan vendin në recesion.
Eksportet janë rritur bindshëm në muajt e fundit, ndërsa krijimi i vendeve të punës ka rezultuar sipër projeksioneve këtë vit, duke mbështetur shpenzimet e ekonomive familjare.
Kjo vjen pavarësisht rritjes së inflacionit në Spanjë këtë vit, vend që varet nga importet e energjisë.
Ekonomia spanjolle nuk ka treguar deri më tani ndonjë efekt nga dalja e Britanisë. Spanja është destinacion i preferuar nga shumë vizitorë britanikë, të cilët mund të jenë dekurajuar nga rënia e paundit.
4 vite pas daljes nga recesioni që shkaktoi një rritje gjigante të papunësisë, ekonomia spanjolle po tregon ritmin më të shpejtë të rritjes në Eurozonë.
Qeveria ka rritur dy herë projeksionet për ekonominë këtë vit dhe pret një zgjerim me të paktën 3% për 2017-ën.
Me bazë vjetore, ekonomia u rrit me 3.1% në tremujorin e dytë, krahasuar me 3% në të parin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.