Fuqizohet ekonomia spanjolle – Shpenzimet konsumatore nxisin ekonominë në T4

Shpenzimet konsumatore kanë mbajtur ekonominë spanjolle në ritëm të fortë për tremujorin e katër të 2016-ës.
Ekonomia e katërt më e madhe e Eurozonës u rrit me 0.7% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, tregon zyra kombëtare e Statistikave. Rimëkëmbja e tregut të punës dhe niveli i ulët i çmimeve gjatë asaj kohe ka sjellë shpenzime më të mëdha të ekonomive familjare.
Për vitin në total, ekonomia spanjolle u rrit me 3.2%, normë e njëjtë me atë të vitit 2015.
Komisioni Europian parashikon një ngadalësim në 2.3% këtë vit, ndërsa Qeveria pret një normë prej 2.5%. Muajt e ardhshëm do të jenë sfidues pasi komponentët që kanë nxitur ekonominë pritet të mos sjellin më këtë kontribut.
Çmimet e konsumit janë rritur ndjeshëm në dy muajt e parë të këtij viti prej kostove të energjisë.
Ekonomistët presin gjithashtu që ritmi i krijimit të vendeve të punës të ngadalësohet. Megjithatë, Ministri i Ekonomisë, Luis De Guindos thotë se vrulli i rritjes ekonomike i regjistruar në fund të 2016-ës do të vazhdojë në tremujorin e parë të këtij viti.
Spanja shënon vitin e tretë të daljes nga recesioni dhe gjatë vitit 2016 ka përfunduar një periudhë të trazirave politike.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.