Fuqizohet industria kineze – Ul shqetësimet për vendin, “Moody’s” rrit perspektivën globale
Motori industrial i Kinës ka nisur të “pompojë” përsëri në muajin Maj, duke qetësuar investitorët mbi ngadalësimin e ekonomisë së dytë më të madhe në botë, ndërkohë që përballet me borxhin e larë dhe me uljen e vlerësimit të kreditit nga Moody’s.
Agjencia deklaroi së fundmi se sheh një përmirësim të perspektivës globale, pavarësisht paralajmërimit për një ngadalësim në Kinë më vonë gjatë vitit.
Moody’s deklaroi se rreziqet më të mëdha ndaj rritjes ekonomike globale, përfshirë proteksionizmin dhe daljet nga Bashkimi Europian, janë tërhequr. Moody’s pret që rritja ekonomike e Kinës për 2017-ën të rezultojë 6.6%, në linjë me objektivin zyrtar.
Indeksi PMI për Kinën, që tregon aktivitetin e fabrikave, hoqi shqetësimet e krijuara më parë, duke prekur 51.2 për muajin Maj. Aksionet e kompanive kineze (SSEC) u rritën, ndërsa juani preku nivelin më të lartë në 4 muaj kundër dollarit amerikan.
Sipas indeksit që formohet nëpërmjet mijëra sondazhesh në fabrika, industria e çelikut në Kinë ka patur performancën më të mirë në 1 vit, nxitur nga porositë e reja.
Moody’s pret tashmë që ekonomitë e G20, që përbëjnë për 78% të ekonomisë globale, të rriten me një normë vjetore prej 3.1% këtë vit dhe tjetrin, nga 2.6% që ishte për 2016-ën.
Një tjetër shenjë pozitive erdhi nga Japonia, ku prodhimi i fabrikave u rrit me normën më të shpejtë në 6 vite.
Moody’s deklaroi se fitorja e Emmanuel Macron ka përmirësuar gjithashtu perspektivën, duke hequr rrezikun e daljes së një vendi themelues të Bashkimit Europian.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.