Fuqizohet industria në Eurozonë – Prodhimi industrial rritet sipër pritshmërive, reflekton vrullin e ekonomisë
Prodhimi industrial në Eurozonë u regjistrua në rritje për Nëntorin, duke treguar vrullin e fortë ekonomik në zonën e valutës së përbashkët, që ndodhet në performancën më të fortë në një dekadë.
Zyra e Statistikave e Bashkimit Europian, Eurostat, deklaroi se prodhimi industrial në 19 vendet që ndajnë euron u rrit me 1% në Nëntor nga muaji i kaluar dhe me 3.2% me bazë vjetore.
Ekonomistët prisnin një zgjerim prej 0.8% dhe 3% në mënyrë respektive. Rritja më e madhe se sa pritej erdhi kryesisht falë rritjes së prodhimit të mallrave kapitale, si dhe të mallrave të ndërmjetëm dhe të qëndrueshme të konsumit.
Prodhimi industrial është një nga komponentët kryesore të Produktit të Brendshëm Bruto të Eurozonës, së bashku me shërbimet. Ekonomia e Eurozonës u rrit me 0.6% në tremujorin e tretë nga i dyti dhe 2.6% me bazë vjetore.
Investimet dhe konsumi i ekonomive familjare ishin kontribuuesit më të mëdhenj në treguesin për tremujorin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.