Fuqizohet tregtia gjermane – Eksportet “injorojnë” luftën tregtare, marrin nxitje nga rënia e euros
Eksportet gjermane janë rritur më shumë se importet në Maj, duke zgjeruar suficitin tregtar dhe treguar se ekonomia më e madhe e Europës qëndron në formë pavarësisht tensioneve tregtare me Shtetet e Bashkuara. Eksportet, e përshtatura ndaj efekteve sezonalë, u rritën me 1.8% gjatë muajit, sipas zyrës Federale të Statistikave, ndërsa importet, treguan rritje me 0.7%. Sipas analistëve, rënia e fundit e euros duhet të sjellë pak lehtësim për muajt në vazhdim, duke kompensuar për tarifat e çelikut dhe aluminit nga Shtetet e Bashkuara.
Javën e kaluar, ministri i Financave, Olaf Scholz, paralajmëroi se vendimi i Donald Trump për të vendosur tarifa në mallrat e importuara nga partnerët tregtar si Kina dhe Bashkimi Europian, do të dëmtojë të gjitha palët. Trump kërcënoi vendosjen e tarifave në 20% për importet e makinave të prodhuara në Bashkimin Europian, gjë që mund të sjellë një krizë në industrinë. Trump goditi gjithashtu Kanadanë dhe Meksikën me tarifa në 25% për çelikun dhe 10% për aluminin në nisje të Qershorit, duke përfunduar pezullimin që kishte nisur në Mars.
Bashkimi Europian dhe Kanadaja, u kundërpërgjigjën duke shënjestruar mallra amerikanë. Kina vendosi gjithashtu tarifa ndaj mallrave amerikane duke reaguar ndaj Donald Trump, gjë që shqetësoi më tej prodhuesit gjermanë të makinave, që varen në 2 ekonomitë më të mëdha në botë. Suficiti i Gjermanisë u rrit në 20.3 miliardë euro gjatë Majit. Suficiti i llogarisë korrente, që mat fluksin e mallrave, shërbimeve dhe investimeve, ra në 12.6 mld euro, nga 23.5 që ishte në Prill.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.