Fuqizohet tregtia japoneze – Eksportet rriten ndjeshëm në Prill, zgjerohet suficiti me SHBA
Eksportet e Japonisë janë përshpejtuar në muajin Prill, prej rritjes së dërgesave të automjeteve dhe makinerive, duke treguar se kërkesa jashtë vendit mund të mbështesë ekonominë që të rimëkëmbet pas tkurrjes në tremujorin e parë. Eksportet u rritën me 7.8% në Prill me bazë vjetore. Në volum, duke hequr ndikimin e kursit të këmbimit, eksportet e Japonisë u rritën me 4.6% në Prill, gjithashtu sipër nivelit të muajit të kaluar. Eksportet pritet të vazhdojnë në rritje prej fuqizimit të kërkesës për pajisje të manifakturës, automjeteve dhe pjesëve të makinave.
Megjithatë, suficiti tregtar i Japonisë me SHBA, e bën vendin një shënjestër për politikat proteksioniste të Donald Trump. Eksportet e makinave u rritën me 15.3% në Prill nga e njëjta periudhë një vit më parë, ndërsa eksportet e pajisjeve të përdorura në manifakturë, u rritën me 18.2%, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave. Eksportet drejt Kinës, që është partneri më i madh tregtar, u rritën me 10.9%, sipër normës prej 10.8% të muajit Mars.
Eksportet e Japonisë drejt Kinës shihen zakonisht si një barometër i kërkesës globale për shkak se kompanitë kineze përdorin materialet nga Japonia për të prodhuar mallra eksporti për vendet e tjera. Drejt SHBA, eksportet u rritën me 4.3%, duke bërë që suficiti me ekonominë më të madhe në botë të arrijë në 5.55 miliardë dollarë në Prill. Trump ka vendosur tarifa mbi importet e çelikut dhe aluminit, që ndikojnë eksportuesit japonezë dhe ka kritikuar gjithashtu vendin për importet e ulëta të makinave amerikane. Vitin e kaluar, Trump i bëri thirrje Japonisë që të blejë më shumë pajisje ushtarake nga SHBA, që është një opsion i Japonisë për të reduktuar sufiçitin me vendin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.