Fuqizohet tregtia kineze – Rritja e kërkesës ul sufiçitin me SHBA, bien presionet

Kina ka publikuar të dhëna më të forta se pritshmëritë për tregtinë në muajin Janar, pasi kërkesa brenda dhe jashtë është përmirësuar.
Kjo ka sjellë një fillim inkurajues për 2017-ën për ekonominë e dytë më të madhe në botë, ndërkohë që kontinenti po përgatitet për një politikë proteksioniste nga SHBA.
Trump ka kritikuar Kinën, Japoninë dhe Gjermaninë javën që kaloi, duke thënë se tre partnerët kyç tregtar të SHBA po zhvlerësojnë valutën duke dëmtuar kompanitë dhe konsumatorët amerikanë.
Importet kineze në muajin Janar u rritën në normën më të shpejtë në 4 vite, me 16.7%, nxitur nga sektori i ndërtimit që ka sjellë rritjen e kërkesës për lëndë të para nga bakri te çeliku.
Kjo rritje e kërkesës nga ekonomia e dytë më e madhe në botë ka sjellë dhe një nxitje për çmimet e lëndëve të para. Duke i bërë qejfin Trump, importet nga SHBA u rritën me 23.4% në Janar, norma më e shpejtë në një vit, ndërsa sufiçiti tregtar me Amerikën u tkurr në 21.37 miliardë dollarë.
Të dhënat nga të dy vendet tregojnë se sufiçiti i Kinës me Shtetet e Bashkuara është tkurrur në vitin që kaloi, por është ende sipër 20 miliardë dollarë, që përbën një nga 3 kriteret e përdorur nga Thesari amerikan për të përcaktuar nëse një vend është apo jo një manipulues valute.
Eksportet kineze nga ana tjetër, patën gjithashtu një rritje, nxitur nga pajisjet elektronike. Për muajin Janar, eksportet u rritën me 7.9%, ndërsa të dhënat për të gjithë 2016-ën treguan një rënie.
Klevis Llaha/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.