“Furtunë” edhe në shëndetësi – Rama: Drejtorët e spitaleve të dorëhiqen, punësime me konkurs

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar drejtorëve të spitaleve rajonalë dhe bashkiakë të japin dorëheqjen, për shkak të performancës së ulët dhe indiferencës së treguar gjatë këtyre viteve në zgjidhjen e problemeve. Rama përjashtoi vetëm drejtuesit e Tiranës, të cilët sipas tij kanë qenë më pranë pacientëve.
“Është një plagë e trashëguar, por nga ana tjetër personelit tonë mjekësor nuk mund t’i mungojë gatishmëria për t’iu përgjigjur në kohë dhe me cilësi pacientit, sepse pacienti e meriton këtë. Nuk jemi 27 vjet mbrapa, jemi 270 vjet mbrapa. Kush e ka përgjegjësinë për këtë? E keni ju. Stafi drejtues ka përgjegjësinë e madhe të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe për të marrë vendimet e duhura në kohë, për t’iu përgjigjur si duhet nevojave me etikë dhe dinjitet”, tha kryeministri.
Teksa foli për problemet dhe nevojën për reformim që ka sot sektori shëndetësor, Rama tha se i gjithë ekipi drejtues në spitale do të zgjidhet përmes konkurseve që do të zhvillohen në muajin shtator. Gjithashtu, ai ftoi drejtuesit aktualë, që mendojnë se janë të aftë për të drejtuar të bëhen e tyre.
“Largimi i të gjithë drejtuesve aktualë të spitaleve e të institucioneve të shëndetit publik, dhe afirmim i një profili të ri drejtuesi menaxher në shërbimin spitalor përmes konkurseve publike për çdo drejtori spitali dhe institucion të shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Kryeministri paralajmëroi ristrukturim tërësor të organizimit në territor të institucioneve të shëndetit publik, nisjen e procesit për jetësimin e Autonomisë Spitalore si dhe struktura dhe mekanizma të reja shërbimi përmes partneritetit publik – privat.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.