Fushatë e rrezikshme në Itali – Partitë premtojnë ulje taksash, “harrojnë” borxhin
Si rrallëherë më parë, fushata elektorale në Itali, që paraprin zgjedhjet e përgjithshme të datës 4 Mars, ka në qendër ekonominë.
Borxhi publik është kryefjala e të gjitha partive, ndërkohë që ato në opozitë kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë për të mbledhur vota. Italia ka një borxh publik në 132% të PBB, ose 2.3 trilionë euro borxh.
Kjo shifër është vendosur edhe nga një think tank i rëndësishëm në vend i afishuar në formën e një ore digjitale.
“Çdo premtim është borxh”-thotë mesazhi. Italia ka kështu borxhin më të lartë në Eurozonë pas Greqisë dhe është vlerësuar vazhdimisht si vendi i parë që do të goditet në rast se do të ketë një krizë të re.
Në një ndërhyrje të paprecedentë, guvernatori i Bankës së Italisë, Ignazio Visco, tha se, premtimet e partive politike për të ulur taksat dhe rritur shpenzimet janë kundër produktive, në një kohë që problemi i borxhit është kombëtar dhe nuk mund të anashkalohet.
Thuajse të gjitha këto premtime përkthehen në fryrje të borxhit publik. Madje, partia e Silvio Berlusconit që në sondazhe rezulton parti e parë, ka premtuar heqjen e taksimit progresiv dhe vendosjen e një takse të sheshtë, çka përkthehet në ulje të ndjeshme të taksave.
Kjo lëvizje do t`i kushtonte arkave të shtetit 50 deri në 80 miliardë euro. Edhe lëvizja 5 yjet premton ulje drastike taksash.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.