Fushatë ndërgjegjësuese – Tatimet dalin në terren, konstatohen shkelje

Administrata Tatimore së fundmi ka nisur një fushatë intensive konstatuese dhe ndërgjegjësuese ndaj tatimpaguesve.
Sipas DPT qëllimi i kësaj fushate është evidentimi i situatës reale dhe të faktorëve të riskut në mosrespektimin e detyrimeve fiskale.
Qytetet e mëdha dhe ato të zonave turistike si Tirana, Durrësi, Shkodra, Lezha, Fieri, Vlora, Pogradeci, Korça, etj, janë vizituar deri tani nga administrata tatimore ndërsa do të vijohet në të gjithë territorin e vendit.
Sipas njoftimit, nga konstatimet e para të grupeve të punës, rezultojnë shkelje të legjislacionit tatimor në mos lëshimin e kuponëve tatimorë, përdorimin e pajisjeve jo fiskale, mos deklarimin e punonjësve, si edhe subjekte të paregjistruar.
Gjithsesi, DPT tha se subjektet tregtare po informohen dhe këshillohen që të korrigjojnë sjelljen e tyre në respektim të detyrimeve ligjore, ndërsa sipas DPT secili prej tyre është vënë në dijeni se do të monitorohet në vazhdimësi nga administrata tatimore, për shkak të parregullsive të konstatuara, në pritje të vetëkorrigjimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.