Futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së? Ahmetaj: Nuk do të ndikojë në rritjen e çmimeve, ato i përcakton tregu

Futja e biznesit të vogël në skemën e pagesës së TVSH nuk do të ndikojë në rritjen e çmimeve, pasi ato i përcakton tregu, ndërkohë që ky proces do të strukturojë kontrollin ndaj bizneseve të mëdha me qëllim evitimin e evazionit fiskal.
Kështu është shprehur ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjatë një takimi me biznesin e vogël.
“Qëllimi nuk është të vendosim një procedurë, por të mos lejojmë biznesin e madh që të mos raportojë të ardhurat. Nuk do të ketë rritje çmimesh, nuk ndikon TVSH-ja por ato i vendos tregu. Në konkurrencën e drejtë, çmimet reflektojnë të gjitha kostot qoftë ato administrative apo edhe ato fiskale. Ngarkesa që vjen nga TVSH do të jetë minimale. Çmimet kanë ndjekur rritjen dhe uljen e tyre normale me inflacion 1.5 deri në 2 për qind. Jemi përpara një procedure që ka ndodhur historikisht”, tha Ahmetaj.
Ministri i Financave ka folur edhe për fazën e tretë të aksionit antiinformalitet, ku është shprehur se logjika për të shtrirë TVSH është një logjikë anti-infrmaliteti.
“Kemi shpallur fazën e tretë të informalitetit. Logjika e parë për të shtrirë TVSH është logjikë antinformaliteti. Ju kërkoni shërbime të thjeshta dhe të shpejta nga qeveria, buxheti i shtetit duhet të marrë atë që i takon buxhetit të shtetit. Po ulim informalitetin, pasi ai përbën pabarazi dhe padrejtësi. Kjo është arsyeja pse kemi këtë instrument procedurial, nuk është taksë e re, nuk ndikon në çmim dhe nuk ngarkon sipërmarrjen e vogël”.
Ministri foli edhe një herë për shmangien e dokumenteve të shumta për biznesin, si dhe përmendi kategoritë që do të dalin nga skema e TVSH-së.
“Do të shmangen një numër i madh dokumentesh, nuk do të paraqiten 6 tipologji dokumentesh në zyrat e administratës tatimore, gjë që ua bën më të lehtë procedurat sipërmarrjes. Nga TVSH do të përjashtohen zejtarët, berberët, taksistët, ambulantët përfshirë edhe ata në tregjet e bashkive. 60-65 mijë subjekte do të mbetet jashtë skemës së detyrueshme të deklarimit të TVSH. Shtrirja e TVSH është një ndihmë që i japim ekonomisë tonë për të kontrolluar biznesin e madh”.
Ahmetaj njëkohësisht deklaroi para bizneseve se tatimi mbi fitimin do të vazhdojë të jetë i pandryshueshëm.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.