G20 bën thirrje për tregtinë – Ashpërsohet komunikimi, nuk arrihet dakordësi
Liderët e financave në të gjithë botën bënë thirrje për dialog që të parandalohen tensionet tregtare dhe gjeopolitike, që frenojnë rritjen e ekonomisë. Megjithatë, takimi dy-ditorë i Grupit të 20 përfundoi pa një dakordësi për të zgjidhur çështjen e tarifave të SHBA. Ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të 20 ekonomive më të mëdha në botë, paralajmëruan se rritja ekonomike po bëhet më pak e sinkronizuar dhe se janë shtuar rreziqet në afat-shkurtër dhe afat-mesëm.
“Këtu përfshihen rritja e cenueshmërive në sektorin financiar, tensionet gjeopolitike dhe tregtare, disbalancat globale dhe pabarazia e rritja e dobët strukturore, veçanërisht në disa ekonomi të zhvilluara”, përmblodhën liderët pas takimit. Komunikimi ishte i ashpër krahasuar me deklaratën e tyre në muajin Mars. Sipas analistëve, fjalimi i fundit tregon për urgjencën e zgjidhjeve të këtyre çështjeve.
Takimi në Buenos Aires erdhi në një kohë të rritjes së tensioneve tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, dy ekonomitë më të mëdha në botë. Presidenti amerikan kërcënoi se do të vendosë tarifa në 500 miliardë dollarë mallra të importit nga Kina, nëse vendi nuk bie dakord me ndryshime të rëndësishme strukturore si transferimi i detyrueshëm i teknologjisë, subvencionet në industri dhe politikat e ndërmarrjeve të përbashkëta. Sekretari i thesarit, Steven Mnuchin, tha nuk zhvilloi ndonjë diskutim të rëndësishëm mbi tregtinë me ministrin kinez të Financave, gjatë takimit. Ai u përqendroi më shumë në marrëdhëniet tregtare me vende të tjera, përfshirë Bashkimin Europian, Kanadanë, Meksikën dhe Japoninë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.