G20, iniciativë e re me “BB” – Mbi $1 mld për të nxitur aksesin e femrave në ekonomi

Ndërkohë që samiti i G20 në Hamburg të Gjermanisë konfirmoi edhe një herë krisjen e madhe mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës, të paktën për diçka shërbeu.
Banka Botërore gjeti rastin që të njoftonte gjatë punimeve të samitit krijimin e një strukture të re inovative që ka për synim të nxisë dhe ndihmojë femrat në sipërmarrje, por edhe t`i ndihmojë femrat në vendet në zhvillim që të kenë më shumë akses në financë, tregje, etj.
Kjo strukturë ka për qëllim të grumbullojë më shumë se 1 miliardë dollarë për të financuar këtë qëllim. Projekti u përshëndet nga thuajse të gjitha palët.
Ideja për krijimin e fondit është e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do të jetë edhe një ndër anëtarët themelues së bashku me vendet donatore.
“Kjo strukturë do të ketë një impakt domethënës në zhvillimin ekonomik të femrave nëpër botë”, deklaroi Donald Trump.
Nga ana tjetër, presidenti i Bankës Botërore u shpreh se, fuqizimi ekonomik i fermave është një kriter kyç në arritjen e një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe më se i domosdoshëm për t`i dhënë fund varfërisë, që është edhe sfida kryesore e bankës.
“Të gjithë përfitojnë kur femrat kanë burimet e nevojshme për të marrë pjesë plotësisht në ekonomi dhe shoqëri”, deklaroi Justin Trudeau.
“Kjo iniciativë na tregon se G20 nuk është vetëm një samit 2-ditor por një proces”, deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.