G20, marrëveshje për ristrukturimin e borxheve – Lehtësi për vendet e varfëra që rrezikohen nga kriza e Covid-19

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe vendet e tjera të G20-ës kanë dakord për herë të parë për një qasje të përbashkët në ristrukturimin e borxheve qeveritare, pasi kriza e koronavirust mund ti çojë vendet e varfëra drejt falimentimit. Marrëveshja erdhi pasi Zambia deklaroi se nuk mundet të paguajë një kupon të eurobondit, ndërkohë që afati i fundit ishte dita e premte, duke u bërë vendi i parë që shkon në prag të falimentimit gjatë pandemisë.
Duke cituar shkallën e pandemisë së Covid-19 dhe paqëndrueshmërinë e lartë të borxhit në shumë vende me të ardhura të ulëta, ministrat e financave të G20-ës ranë dakord të ofrojnë më shumë ndihmë sesa ngrirja aktuale në pagesat e borxhit. Kreditorët më të mëdhenj, duke përfshirë edhe Kinën do të respektojnë udhëzimet e rëna dakord nga G20-a, që ndër të tjera përfshin edhe një reduktim të niveleve të borxhit. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, e quajti marrëveshjen një arritje historike dhe shtoi se do të rrisë edhe pjesëmarrjen e sektorit privat në këtë marrëveshje dhe do të shpejtojë zgjidhjen në rastet kur borxhi bëhet i paqëndrueshëm.
“Kriza nuk ka përfunduar ende. Kemi nevojë për mbështetje të mëtejshme mbi nivelet e borxhit dhe financimit të ri”, deklaroi Georgieva përpara zyrtarëve të G20-ës. Vetëm shtetet afrikane përballen me një boshllëk në financim prej 345 miliardë dollarë deri në vitin 2023. Sipas kuadrit të ri ligjor, vendet kreditore do të negociojnë me vendet debitore dhe po kërkohet i njëjti trajtim edhe nga kreditorët e sektorit privat.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.