G7 “rrëzon” Shengenin – Italia e pezullon për 20 ditë, për arsye sigurie
Italia do të zhvillojë më 11, 12 dhe 13 maj takimin e ministrave të financave të G7 në Bari, dhe më 26 e 27 Maj atë të liderëve të 7 vendeve më të industrializuara të globit në Taormina.
Duke qenë se e shkuara tregon se Italia nuk ka një histori aspak të mirë me organizimin e këtij eventi, dhe duke marrë parasysh situatën që po kalon Europa me kërcënimin e terrorizmit, ministria e brendshme në vend ka ndërmarrë masa ekstreme. Për 20 ditë, deri më 30 maj, Italia pezullon Shengenin.
Në këtë mënyrë, vendi fqinj rikthen kontrollet në çdo pikë kufitare për të garantuar zhvillimin e rregullt të eventit. Ky vendim pritet të shkaktojë kaos në pikat kufitare dhe radhë të gjata.
Më të prekurit do të jenë shtetasit e Bashkimit Europian, të cilët me shengenin në fuqi përfitonin nga mungesa e kontrollove në kufi dhe mungesë radhës për rrjedhojë.
Qeveria italiane i bën thirrje pasagjerëve që ti drejtohen pikave të kalimit kufitar, përfshirë këtu edhe aeroportet, më herët seç parashikohet, për të shmangur kështu vonesat.
Kompanitë ajrore që operojnë në vend, si të huaja ashtu edhe vendase janë të detyruara që të informojnë pasagjerët për rregullat e reja të hyra në fuqi përkohësisht.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.