Galaxy S9 do të kushtojë 15 mijë lekë më shumë se S8 – Operatori rumun zbulon padashje specifikat

Çmimi i aparatit Samsung Galaxy S9 do të jetë 100 paund britanikë, ose rreth 15 mijë lekë, më i shtrenjtë se celulari i vitit të kaluar. Këtë e ka zbuluar për median amerikane “TechRadar” një burim nga industria e shitjeve të celularëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Duke qenë se vitin e shkuar, S8 u lançua me çmimin e 100 mijë lekëve, kjo do të thotë se këtë vit për ta blerë do të duhen 115 mijë lekë, një çmim që për shumë njerëz do të jetë i vështirë për t’u përballuar, sidomos duke patur parasysh se S7 u lançua për vetëm 85 mijë lekë.
S9 do të bëhet në këtë mënyrë, aparati i parë i rëndësishëm që ndjek çmimin e iPhone X mbi 1 mijë dollarë.
Ekspertët e industrisë e shohin me keqardhje trendin rritë të çmimeve, sepse fitimet për të dyja kompanitë janë duke thyer vazhdimisht rekorde, ashtu si dominanca e tyre në treg.
Zbulimi
Por duket se rritja e çmimit do të vijë edhe me rritjen e performancës së aparatit. Operatori rumun i telekomunikacionit “Orange” zbuloi padashje në faqen e tij disa të dhëna mbi smartphone-in, pavarësisht faktit se ai nuk është prezantuar ende.
Në postimin, të cilin kompania e fshiu menjëherë, shkruhej se aparatit do të mbante ekranin e njëjtë me të S8, por do të përfshinte një kamera të pasme me një cilësi shumë të mirë dhe një hapje prej f/1.5 dhe f/1.25, çka është e krahasueshme me aparatet profesionale.
Në ekran supozohet të përfshihet prekja 3D, një opsion i ngjashëm me celularët e fundit iPhone, të cilët njohin disa gradë prekjesh, bazuar në forcën me të cilën shtypet ekrani.
Sa i takon procesorit, në versionin ndërkombëtar pritet të vijë me Snapdragon 845, i cili në testimet e kryera ka një shpejtësi të jashtëzakonshme. Kjo do të thotë se S9 mundet më në fund të kalojë fuqinë e iPhone X dhe të marrë fronin si celulari më i shpejtë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.