Gara e hekurudhave, edhe Maqedonia rinovon flotën – Shqipëria mbetet e “vetme” në rajon

Pas Malit të Zi, Serbisë, Bosnje Hercegovinës e Kosovës, edhe Maqedonia ka nisur projektin për rehabilitimin e transportit hekurudhor. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka njoftuar se do të financojë rreth 59 milionë euro për rinovimin e flotës hekurudhore.
Maqedonia synon përmes këtij fondi të instalojë një sistem informacioni të menaxhimit të energjisë, për të mbledhur informacion mbi konsumin energjetik.
Për të gjitha vendet e rajonit, BERZH liston në adresën zyrtare një numër të madh projektesh në fushën e transportit hekurudhor. Këto projekte kanë si synim përmirësimin e linjave me prioritet për ndërlidhjen ballkanike.
Ndërsa për vendin tonë listohet vetëm një projekt, ai i nëntorit të vitit të kaluar. Ndryshe nga shtetet e tjera që kanë qëllim lidhjen mes tyre, projekti në Shqipëri me vlerë 36.87 milion euro do të rehabilitojë linjën ekzistuese mes Tiranës e Durrësit, duke shtuar edhe një segment shtesë prej 5 kilometrash që do ta lidhë me Aeroportin e Rinasit.
Ndërlidhja e rrugëve tokësore dhe atyre hekurudhore mes vendeve është një nga prioritetet e vendosura nga Bashkimi Europian, por edhe nga Procesi i Berlinit. Shqipëria, mund të themi, se në drejtim të rrjetit hekurudhor ka mbetur pas në raport me fqinjët ballkanikë.
Transporti hekurudhor në vendin tonë zë vetëm 0,9% të mallrave të importuar, të cilat janë kryesisht produkte ushqimore, pije dhe duhan nga vendet fqinje.
Deri në Gusht të këtij viti, me tren udhëtuan vetëm 55 mijë pasagjerë, numër në rënie me 1/3 nga viti në vit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.