Gara e Johnson për Kryeministër – “Do dalim në 31 Tetor, qoftë edhe pa marrëveshje tregtare”
Boris Johnson, në përpjekje për të rifituar mbështetje për t’u bërë Kryeministër i Britanisë, tha se është përgatitur për të nxjerrë vendin nga Bashkimi Europian në muajin Tetor, qoftë edhe pa marrëveshje. Ish-Kryebashkiaku i Londrës është ende kandidati kryesor për të zëvendësuar Theresa May. Perspektiva e daljes pa marrëveshje nga BE, ka sjellë rënien e paundit kundër valutave kryesore.
“Sigurisht, premtimi im është dalja nga Bashkimi Europian gjatë Halloweenit, apo në 31 Tetor. Mënyra për të bindur partnerët tonë mbi seriozitetin është braktisja e negativitetit dhe përgatitja për një dalje pa marrëveshje tregtare,” deklaroi Johnson.
Rivali i tij, Jeremy Hunt, tha se Johnson është një “frikacak”, ndërkohë që po shmang debatet në publik me të. Johnson tha se nuk dëshiron një Brexit pa marrëveshje, por shtoi se është e nevojshme për ta konsideruar, në mënyrë që Britania të marrë rezultatin që dëshiron. Ai ngriti përsëri dyshime mbi pagesën prej 39 miliardë paund që ishte rënë dakord më parë për faturën e Brexit, diçka që do shtojë tensionet në Bruksel. Mbi kufirin e Irlandës, Johnson tha se po mendon ndryshimin apo braktisjen e planit të rënë dakord me BE, që garanton lehtësitë në kontrollet kufitare mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.