Gara për drejtorët e ALUIZNI-t. Kryeministri apel për aplikime

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve që të marrin pjesë në konkurrimin e hapur për vendet vakante në drejtimin e 16 drejtorive rajonale të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të zonave informale.
Afati i fundit për aplikimin është data 23 Tetor. Rama po ashtu sjell në vëmendje edhe kushtet që duhet të plotësojë çdo kandidat në mënyrë që të kenë mundësi të jenë drejtues në një nga Drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t në Tiranë, Durrës, Berat, Dibër, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Kavajë, Korçë, Krujë, Kukës, Lezhë, Lushnje, Sarandë, Shkodër dhe Vlorë.
Kriteret përfshijnë kërkesa specifike që lidhen me arsimimin përkatës, trajnime apo kualifikime, përvojë pune të paktën 3 vite, ku theksohet se të paktën 1 vit të ketë pasur një pozicion drejtues.
Kandidatët do të njoftohen përmes postës elektronike lidhur me plotësimin e kritereve, fazat e testimit, datën dhe vendin se ku do të zhvillohet konkurrimi.
Lajmin e plotë e lexoni këtu.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.