Gara për në universitet – AKP: Maturantët që s’aplikuan dot, shans të dytë pranë DAR

Maturantët, të cilët nuk mundën të aplikojnë për në universitet do të mund ta kryejnë këtë procedurë pranë Drejtorive Arsimore Rajonale. Masa është marrë nga Agjencia Kombëtare e Provimeve pas problemeve të krijuara si pasojë e fluksit të aplikantëve, të cilët nuk arritën dot të bëhen pjesë e garës për studimet e larta.
Gjithashtu, AKP njofton se kandidatët e interesuar do të kenë në dispozicion edhe datat 28 dhe 29 korrik, ndërsa thekson se do të merren të gjitha masat që asnjë maturant të mos mbetet pa aplikuar.
Sa i takon procedurës paraprake, të gjithë të interesuarit, që duan të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë publik apo privat së pari duhet të shkarkojnë nga faqja e AKP-së faturën për arkëtim dhe më pas ta printojnë.
Me këtë faturë të printuar duhet të paraqiten pranë secilit filial të bankave të nivelit të dytë për të kryer pagesën e tarifës përkatëse prej 2000 lekësh.
Më pas kandidatët duhet të paraqiten pranë drejtorisë së shkollës, ku kanë bërë plotësimine Formularit A1 dhe A1Z, në mënyrë që punonjësi i autorizuar të hedhë në sistemin informatik notën mesatare.
Ajo që vlen të theksohet është fakti se maturantët, të që nuk ndjekin këtë procedurë nuk kanë mundësi të aplikojnë me formularin e aplikimit për në institucionet e arsimit të lartë, për shkak të mungesës së notës mesatare në sistem.
Pas kësaj kandidatët do të kenë mundësi të bëjnë përzgjedhjen e programeve të studimit që ofrohen nga universitetet publike e private.
Sikurse vitet e kaluar, të interesuarit mund të zgjedhin deri në 10 programe studimi.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.