Garancitë, instrumente emergjence apo zhvillimi afatgjatë? Shteti, “kolateral” i biznesit edhe në bujqësi e turizëm
Për herë të tretë, qeveria shqiptare po aplikon instrumentin e garancisë sovrane për bizneset, duke ndërhyrë në treg për t’i dhënë zgjidhje një problematike të caktuar.
Herën e parë që qeveria shqiptare e përdori këtë praktikë ishte në periudhën e pandemisë kur u miratuan dy instrumente financimi me garanci shtetërore. Garancia e parë ishte në masën 11 miliardë lekë dhe u adresohej bizneseve që të paguanin pagat për 3 muaj në periudhën e karantinës. Garancia e dytë ishte në vlerë 15 miliardë lekë dhe aplikohej për të gjithë bizneset me synim pasjen e likuiditetit të nevojshëm për të vijuar projektet dhe investimet.
Tashmë qeveria ka miratuar edhe garancinë e tretë sovrane me vlerë 3 miliardë lekë, që këtë herë është i destinuar për bizneset importuese të produkteve ushqimore me qëllim krijimin e rezervës së sigurisë.
Aplikimi i këtij instrumenti, u heq bizneseve problemin e pasjes së një kolaterali për marrjen e një kredie. Në këtë rast, kolaterali është garancia shtetërore.
Pritshmëritë janë që qeveria shqiptare të miratojë edhe së paku një garanci tjetër sovrane, raporton SCAN.
Garancia sovrane e ardhshme pritet të jetë ndryshe nga të tjerat, për faktin se nuk është një instrument i aplikuar për një rast emergjence si në tre rastet e para, por një mekanizëm ekonomik i shtrirë në kohë e që synon të zhvillojë sektorë prioritarë.
Në fillim të këtij viti, ministria e Financave ka paralajmëruar se instrumenti i garancisë shtetërore do të përdoret për sektorin e bujqësisë, manifakturës dhe turizmit.
Në total, pritet që kjo garanci sovrane të ketë një vlerë 12 miliardë lekë, ku secili prej 3 sektorëve përfiton nga 1 miliardë lekë në vit, për 4 vite. Por ajo që po ndodh aktualisht është që ky instrument të jetë funksional, duhet të koordinohet me sektorët përfitues. Në 2 aplikimet e mëparshme të instrumentit, rezultoi se nuk pati përthithje shumë të lartë të fondeve në dispozicion. Ndaj edhe në këtë rast, po zhvillohen diskutime të shmta me bankat dhe grupet e interesit me qëllim që instrumentet e reja të japin rezultatin e kërkuar.
Pavarësisht se dy garancitë e mëparshme nuk kanë pasur rezultat 100 %, aplikimi i këtij mekanizmi ekonomik ka pasur impakt të konsiderueshëm në ndryshimin e raportit të kreditimit në lekë. Kjo evidentohet edhe nga raportet e Bankës së Shqipërisë, ku bie në sy një rritje e lartë e kredisë së biznesit në lekë gjatë periudhës që skemat e para ishin në fuqi, e një rënie, gjatë periudhës që skemat përfunduan.
Tashmë me garancinë e tretë sovrane, tendenca e kreditimit në lekë pritet të ndryshojë për bizneset.
Skema e garancive sovrane nuk cilësohet si një formë e re financimi për ekonominë shqiptare nga vetë autoritetet, që përmendin projekte të ngjashme me Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim apo me qeverinë gjermane.
Garancia Sovrane I në masën 11 Miliardë Lekë:
- Aplikohet nga Bizneset në çdo Bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë
- Garantohet 100% nga Shteti Shqiptar
- Paguhen pagat e tre muajve të punonjësve të kompanive të prekura nga situata e Covid-19
- Interesi subvencionohet nga Qeveria Shqiptare,
- Periudhë pa shlyerje të principalit (grace period) prej 3 muajsh
Garancia Sovrane II në masën 15 Miliardë Lekë:
- Aplikohet për Bizneset në të gjithë sektorët e ekonomisë
- Aplikohet për nevoja në kapital qarkullues dhe investime
- Intrument që ndan riskun me bankat, duke mbuluar një përqindje të principalit të cdo huaje
- Kushte preferenciale financimi, dhe afat shlyerje deri 5 vjet
- Periudhë pa shlyerje të principalit (grace period) prej 6 muajsh
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.