Gati banesat sociale në Shkozë për familjet që preken nga projekti i Unazës së Madhe
Banesat sociale në Shkozë janë gati për të pritur familjet e para, të cilat preken nga gjurma e Unazës së Madhe. Kryebashkiaku, Erion Veliaj ka inspektuar ambientet ku do të akomodohen banorët që do të zhvendosen.
Veliaj ftoi banorët që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe që të aplikojnë pranë njësive të tyre administrative për të përfituar banesa sociale.
“Në kohë rekord janë bërë gati apartamentet, janë blerë duke nisur nga frigoriferët, tek televizorët, tek çdo nevojë bazë që ka një familje. Ajo që kam parë është që këto kushte këtu janë në fakt disa herë më të mira se sa shtëpitë që po lënë, shtëpiza pa leje, barraka pa leje, ndërkohë marrin sot një ofertë shumë më të mirë se sa ajo që lanë. Fillimisht, kjo rezervohet për të gjithë familjet që kanë aplikuar në Bashkinë e Tiranës dhe nuk kanë asnjë dokument, ndërkohë që të tjerët do marrin shpronësimin. Ftesa ime është, sipas njësive 6, 7 apo Kasharit, apo 11 aplikoni për banesa sociale”, tha ai.
Aktualisht janë 15 familje të cilat kanë aplikuar për banesat sociale dhe që do të jenë të parat që do të zhvendosen në apartamentet e reja në Shkozë.
E pranishme në inspektimin e banesave, Drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti u shpreh se të gjithë banesat sociale në zonën e Shkozës janë rregulluar për të akomoduar familjet të cilat preken nga projekti i Unazës së Madhe.
“Në fillim kemi menduar që të lëvizim ata që janë pak më në nevojë, që kanë nevojë për shërbimin social, duke u nisur nga familjet me aftësi të kufizuar, familjet me të moshuar, familjet me fëmijë të vegjël për t’i ardhur sa më shpejtë në ndihmë këtyre familjeve. Ndërkohë, që vazhdojmë vlerësimin social ekonomik në zonë, i ofrojmë të vazhdojmë disa nga programet tona të strehimit social siç është bonusi i qerasë, kredia dhe banesat sociale”, u shpreh Ruseti.
Ndërkohë, prej disa ditësh banorët e prekur nga ndërtimi i këtij segmenti kanë përshkallëzuar protestat kundër prishjes së banesave. Sipas tyre, deri më tani ata nuk janë informuar nga askush ndërsa kërkesa kryesore e tyre është për dëmshpërblim në masën 100 %.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.