Gati linja e interkonjeksionit Shqipëri – RMV, Rama për TV Scan: “Jo ulje të çmimit të energjisë pas asaj të vitit 2014”
Energjia dhe reformat në këtë sektor, ishin tema kryesore e konferencës javore për ekonominë të kryeministrit Edi Rama. Duke u ndalur të investimet e zhvilluara gjatë 7 viteve të qeverisjes, kryeministri tha se pas linjës së interkonjeksionit Shqipëria- Kosovë, po punohet për linjën e re Shqipëri Maqedoni e Veriut.
“Aktualisht jemi në kantier për projektin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Maqedoni e Veriut, ndërkohë që më në fund kemi vënë në punë linjë e interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë. Një projekt i konsideruar me të drejtë historik nga paraardhësi, por i kthyer në një histori sa të dhimbshme aq edhe qesharake për vite të tëra për qeverisjen e mëparshme.
Ministrja e energjisë dhe infrastrukturës Belinda Balluku, në fjalën e saj renditi shifrat konkrete të investimeve në këto 7 vite, dhe përmirësimet në furnizim, uljen e humbjeve, apo ulja e çmimit që është bërë në 2014.
“Ne kemi një çmim të palëvizur që nga viti 2014, nuk ka patur asnjë rritje sa i përket çmimit të energjisë dhe për më tepër nga 13.5 kemi zbritur në 9.5 në 2014. Përsa i përket investimeve në rrjetin e shpërndarjes që kanë bërë të mundur padyshim uljen e humbjeve, rritjen e sigurisë energjitike dhe shërbimin pa ndërprerje. Tashëm në shumicën e territorit të Republikës së Shqipërisë, ndërprerjet vijnë vetëm për shkak të avarive, të cilat ne sot për shkak të sistemeve të reja kemi mundësinë të hyjmë dhe ti kontrollojmë sa më shpejt në sistem dhe koha e ndreqjes së avarive sot është minimizuar. Kshuqë për shkak të këtyre minimizimive kemi këtë impakt pozitiv në rrjetin e shpërndarjes. ”
I pyetur nga TV Scan nëse parashikohet një ulje e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë, kryeministri tha se nuk ka plane për një masë të tillë.
“Ajo që mund të bëj është të mos e rris çmimin e energjisë, duke vazhduar ta subvencionoj atë. Në çdo faturë energjie që ne paguajmë si konsumatorë familjarë është brenda mundësia që na jepet nga pagesa ekstra që i bën qeveria çdo fature. Për çdo faturë energjie, qeveria paguan ekstra. Ulja e çmimit të energjisë është një premtim që nuk e bëjmë dot sepse nuk bazohet në asnjë lloj arsyetimi. Këtë e bën vetëm Lulzim që nuk ka asgjë në dorë dhe nuk do ketë gjë në dorë dhe thotë kap ca të kapësh dhe premto nënë e babë. Ne s’mund ta bëjmë këtë.”
Arbër Hitaj / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.