Gati lista e fituesve për kredi të butë – Mbyllet faza e dorëzimit të dosjeve, mbi 2400 aplikantë!
Bashkia e Tiranës ka mbyllur edhe fazën e dytë të aplikimit për kredi të butë në kryeqytet. Aplikantët kanë pasur afat deri më 21 Mars për të dorëzuar dokumentacionin përkatës pranë Zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë Tiranë dhe tashmë . Drejtoria e e Strehimit Social do të kalojë në filtër të gjitha dosjet e dorëzuara për të parë përputhshmërinë e tyre me kriteret e vendosura dhe më tej do të shpallet lista finale e fituesve, të cilëve do t’u hapet drita jeshile për të përfituar kredi me interes fiks prej 3 për qind dhe me afat mbi 15 vjet.
Interesi për këtë formë kreditimi e cila aplikohet çdo vit është i lartë, pasi qytetarët pavarësisht luhatjes së normave të interesit, paguajnë një këst kredie të njëjtë për të gjithë periudhën e kreditimit. Në total janë afro 2400 individë të cilët kanë plotësuar kriteret në formularin TIP të dorëzuar në fazën e parë, të cilët kanë dorëzuar edhe dosjet e plota për të përfituar nga programi i strehimit “Për subvencionimin e interesave të kredisë”.
Ky program synon të mbështesë në blerjen e shtëpive të para për për qytetarët, me qëllim përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës. Kriteret bazë për përzgjedhjen e përfituesve do të jenë: individë të cilët kanë mbushur 18 vjeç; që nuk kanë në pronësi një banesë apo që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit; dhe familje që zotërojnë të ardhura brenda kufijve të përcaktuar nga Bashkia.
Ndërkohë vlera e e përfitimit nis nga 4.4 milion lekë për familjet me 1-2 persona për strukturë apartamenti garsoniere, deri në 7.5 milion lekë për familjet mbi 5 anëtarë, me strukturë apartamenti 3+1.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.