Gati paketa kundër krizës në Bullgari – TVSH për bukën 0%, rritje e pensioneve, ulje në çmimet e karburanteve

Tatim të Vlerës së Shtuar (TVSH) 0% për bukën, rritje e pensioneve me afro 20%, ulje taksash për familjet me fëmijë dhe ulje të çmimeve të karburanteve, përfshirë benzinën dhe naftën, këto janë vetëm disa nga masat e paketës kundër krizës të miratuar nga koalicioni qeverisës në Bullgari. Masat me nje kosto totale prej 1,08 miliardw dollarw synojnë të mbështesin qytetarët dhe bizneset përballë krizës së paprecedentë të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Pensionet do të rriten prej 1 korrikut mesatarisht 20%, kundrejt 6.1% që ishte parashikuar. Vendimet e koalicionit qeverisës çojnë në një rritje drastike mbi 55% të pensionit minimal, i cili në fillim të vitit të kaluar shkonte në 300 leva, dhe nga 1 korriku do të jetë 467 leva. Përllogaritjet tregojnë gjithashtu se për 12 vitet e mëparshme pensionet janë rritur mesatarisht me rreth 100 leva, ndërsa tashmë vetëm brenda një viti rritja do të jetë me 167 leva.
Paketa kundër krizës parashikon gjithashtu kompensim për çmimet e larta të karburanteve. Të gjithë qytetarët deri në fund të vitit do të mund të përfitojnë nga zbritja prej 25 cent për litër për benzinën 95 oktan dhe naftën. Për një periudhë njëvjeçare TVSH-ja e bukës do të ulet në 0% dhe për të njëjtën periudhë TVSH-ja e verës dhe birrës do të kthehet në 20%.
Për sa i përket ngrohjes, TVSH-ja për ngrohjen dhe ujin e ngrohtë pritet të jetë 9% brenda një viti. Gjithashtu, do të ulet në 9% TVSH për gazin natyror për përdoruesit fundorë/nevojat shtëpiake për një periudhë 1-vjeçare. Përjashtohet nga akciza energjia elektrike, gazi natyror, metani.
Në mbështetje të familjeve me fëmijë, si masë afatgjatë, është planifikuar të rritet masa e lehtësimit tatimor për fëmijët nga 4500 leva në 6000 leva në vit dhe do të mund të përdoret çdo tre muaj gjatë vitit.
Paketa e masave kundër krizës përfshin gjithashtu rritjen e pragut për regjistrimin e detyrueshëm të TVSH-së nga 50,000 në 100,000 leva; taksimi i fitimeve të tepërta të energjisë elektrike për të kompensuar konsumatorët jofamiljarë; ulje e normës së interesit në 8% për pagesat e vonuara për shtetin, bashkitë, shërbimet komunale etj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.