Gati rikonstruksioni i Unazës Bujqësore të Myzeqesë – FSHZH hap tenderin 609 milionë lekë
Disa prej segmenteve të Unazës Bujqësore të Myzeqesë do t’i nënshtrohen së shpejti punimeve të rikonstruksionit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur zyrtarisht procedurat e tenderit me një fond limit prej rreth 609 milionë lekësh.
Punimet janë parashikuar të zgjasin 18 muaj dhe konkretisht deri në 4 muaj pas lidhje së kontratës pritet të mbarojë segmenti Imësht-Lumë; brenda vitit do të mbarojë puna për segmentin Imësh-Ngurrëz e Madhe; ndërsa pas 18 muajsh do të jetë gati edhe segmenti Fier i Ri-Kashtëbardhë.
Ky është vetëm loti i parë i tenderit, ndërkohë që në vijim do të hapet edhe loti i dytë që përfshin segmentet e mbetura: Savër-Kadiaj, Qerret i Vjetër-Kadiaj, Fshati Qerret dhe Qerret-Qerret i Vjetër.
Gjendja aktuale e këtyre rrugëve është tejet e dëmtuar dhe e pashtruar, ose e shtruar me çakëll apo rërë bituminoze në pjesën më të madhe.
Nga rehabilitimi i këtyre segmenteve që përbëjnë Unazën Bujqësore të Myzeqesë në afërsi të Lushnjes pritet që të sjellë zhvillim ekonomik për zonën, të rrisë vlerën e pronës për numrin e madh të banorëve që jetojnë pranë rrugës dhe të rrisë kapacitetet e komunitetit për financime të ndryshme.
Zona në fjalë merret më së shumti me bujqësi, ku vihen re sera të shumta dhe ndërtimi i kësaj unaze do të përmirësonte infrastrukturën që i lidh me akset kombëtare, duke lehtësuar daljen në treg të produktit bujqësor.
Shpejtësia e projektuar e rrugës është 50 km/h dhe rruga do të ketë një korsi për çdo drejtim.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.