Gati ujësjellësi në Durrës/Investimi 62.5 milion euro, Balluku: Furnizim me ujë, 18 orë
Me një investim prej 62.5 milion euro të Bankës Botërore, linja e re e furnizimit me ujë në Durrës, do të jetë plotësisht në funksion në fund të muajit qershor dhe do të garantojë një furnizim me 18 orë ujë në ditë për qytetarët.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi punimet, ndërsa theksoi se përfitues të tij janë jo vetëm banorët e qytetit të Durrësit por edhe zonat rurale përreth, të cilat do të furnizohen me ujë përmes stacionit aktual.
“Ky është një projekt që ka nisur në mandatin e parë për të përfunduar me rezultate të shkëlqyera në 30 qershor të vitit 2019. Nga ky projekt benefite do të marri jo vetëm zona e qytetit të Durrësit por edhe zonat rurale pasi do përdoret sistemi i vjetër që ne kemi pasur duke e përmirësuar për t’a vendosur dhe atë në funksion. Ne nuk kemi as kohë dhe as materiale për të humbur pasi duhet t’i ofrojmë më të mirën qytetarëve tanë”, nënvizoi ministrja Balluku.
Rrjeti i ri i ujësjellës kanalizimeve është ndërtuar sipas standardeve dhe teknologjive inovative duke shmangur dhe eliminuar ndotjen në mjedis si dhe rrezikun në shëndetin e qytetarëve. Përveç përmirësimit të furnizimit , ai pritet të rritë dhe efiçencën e operimit të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve duke ulur ndjeshëm kostot operative.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.