Gazi, gjobiten 50 karburante e hotele – ISHTI: Vlera totale e masave administrative, 10.7 milion lekë
Përgjatë muajit korrik, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka gjobitur 50 subjekte të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse, pajisjeve nën presion dhe instalimeve elektrike.
Vlera e gjobave varion nga 50 mijë deri në 1 milion lekë, sipas të shkeljeve të konstatuara, ndërkohë që për disa subjekte është ndaluar ushtrimi i aktivitetit, pasi këta të fundit nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm.
Shkaqet për vendosjen e gjobave janë të ndryshme sipas subjekteve, duke filluar që nga mungesa e kushteve teknike, mbushja e bombolave në kundërshtim me ligjin, mosregjistrimi i pajisjeve nën presion e deri te mungesa e projektit teknologjik të rezervuarit të gazit.
Ndër subjektet e gjobitur, përveç pikave të karburantit ka edhe restorante apo hotele, ndërkohë që vlera totale e gjobave kap shifrën e 10.7 milion lekëve.
Gjatë 7-mujorit të parë të këtij viti Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka gjobitur 72 operatorë, të cilët janë gjetur në shkelje të ligjit. Po ashtu, për këtë periudhë kohore, janë kontrolluar 2300 pajisje nën presion, ndërsa janë mbajtur mbi 1400 Akt Inspektimi si dhe mbi 200 urdhër-ndalese.
Për shkak të temperaturave të larta dhe sezonit turistik ISHTI ka intensifikuar kontrollet, ndërsa i kërkon të gjithë operatorëve ekonomikë të mos shfrytëzojnë pajisje nën presion pa i certifikuar teknikisht dhe pa i pajisur me dokumentacionin teknik.
Intensifikimi i kontrolleve erdhi edhe pas ngjarjes të ndodhur pak javë më parë, në një kompleks turistik në Velipojë, ku si pasojë e shpërthimit të depozitë së gazit, gjetën vdekjen pronari dhe djali i tij.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.