“Gazprom” dominon Europën – Kërkesa e madhe në Europë rrit fitimin e kompanisë me 21%

Gazprom, prodhuesi më i madh në botë i gazit, raportoi gjatë javës një rritje me 21% të fitimit në 2016-ën, ndërkohë që gjiganti rus i energjisë bëri të ditur se do të vazhdojë të ketë objektiv rritjen e shitjeve në Europë, pavarësisht konkurrencës.
Kërkesa e madhe për gaz në Europë ka ndihmuar kompaninë që t’i bëjë ballë rënies së çmimeve të gazit vitin që kaloi dhe Gazprom po përpiqet të ndërtojë 2 tubacione të reja për të shtuar dërgesat drejt Europës.
Të ardhurat neto të Gazprom për 2016 rezultuan në 16.7 miliardë dollarë, në rritje me 21% krahasuar me vitin e kaluar.
Gazprom ka rritur pjesën e tregut në Bashkimin Europian në 34%, nga 31% që ishte në 2015-ën.
“Gazprom synon të fuqizojë prezencën në tregjet tradicional të gazit në Europë, ndërkohë që tregu bëhet më i favorshëm”, deklaron kompania.
Deri më tani për 2017-ën, dërgesat janë rritur me 15%, duke treguar se kompania pritet ta thyejë rekordin e vitit të kaluar. Kjo vjen pavarësisht hapave në BE për të diversifikuar furnizimet, duke u kthyer në gazin natyror të lëngshëm.
Kompania shtetërore e gazit në Poloni, PGNiG, ka deklaruar se do të marrë furnizimin e parë të gazit natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara në Qershor, pasi ka rënë dakord me kompaninë teksane të energjisë, Cheniere.
Gazprom po zhvillon gjithashtu këtë biznes dhe nuk pret që furnizimet e Europës nga Katari apo Shtetet e Bashkuara të kërcënojnë pjesën në treg.
Perspektiva afat-mesëm e Gazprom ka marrë një nxitje këtë javë, kur 5 kompani të energjisë në Europë ranë dakord të financojnë gjysmën e kostos prej 9.5 miliardë euro të tubacionit “Rrjedha e Veriut 2” , që do të kalojë nga Rusia në Gjermani.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.