Gazsjellësi Jonian Adriatik, operatori slloven i transmetimit të gazit natyror flet për të ardhmen e projektit
Kompania sllovene “Geoplin plinovodi”, e cila operon një rrjet transporti të gazit natyror, është shprehur për rëndësinë e diversifikimit të furnizimit të Europës. Sipas burimeve brenda kompanisë, raporton Trend.az, Të dy gazsjellësit TAP dhe IAP janë shumë të rëndësishëm në këtë aspekt dhe do të rrisnin sigurinë në furnizimin e kontinentit të vjetër.
“Projekti i gazsjellësit Jonian-Adriatik është i fokusuar tek Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina, dhe Kroacia. IAP do të nisë në Shqipëri dhe do të përfundojë në Kroaci, ku do të bashkohet me sistemin e transmetimit ekzistues kroat”, tha burimi.
Sipas “Geoplin plinovodi” kapaciteti dhe shpërndarja për vendet e tjera si Sllovenia dhe Hungaria do të varet nga përmirësimet në sistemin rrjetin kroat të shpërndarjes.
IAP do të dërgojë gazin nga Azerbajxhani në disa vende të Europës Juglindore dhe kapaciteti i tij do të arrijë në 5 miliardë metra kub gaz në vit.
Tashmë, TAP, vendet dhe kompanitë e interesuara për t’u përfshirë në projekt kanë firmosur një memorandum mirëkuptimi. Konkretisht firmëtarët janë TAP, qeveritë e Shqipërisë dhe Malit të Zi, kompania kroate “Plinacro”, “BH-GAS” dhe “Geoplin Plinovodi”.
Është krijuar gjithashtu një grup i përbashkët pune TAP-IAP, i cili mblidhet rregullisht për të sinkronizuar kohën e punimeve të dy projekteve si dhe diskutojnë çështjen teknike të ndërlidhjes së dy gazsjellësve.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.