Gazsjellësi TAP, 32 milionë euro investime në projekte të përgjegjësisë sociale në Greqi

Konsorciumi i projektit të gazsjellësit Trans Adriatik, TAP AG, ka pranuar të investojë 32 milionë euro në projekte të Përgjegjësisë Sociale të Korporatave, në zonat ku do të kalojë gazsjellësi.
Njoftimi është publikuar në portalin e Ministrisë greke të Mjedisit dhe Energjisë, ku shpjegohet se marrëveshja erdhi pas takimit të drejtuesve të TAP AG me ministrin grek.
Pjesëmarrësit në takim vendosën të vazhdojnë programet e asistencës sociale dhe se një sërë projektesh madhore do të kryhen në të ardhmen si pjesë e implementimit të projektit TAP. Programet do të mbulojnë fusha si shëndetësia, mjedisi dhe një vëmendje e veçantë do t’i shkojë sektorit të agrobiznesit.
Propozimet konkrete për marrëveshjen do të dorëzohen brenda 15 ditëve të ardhshme, thuhet në njoftimin e Ministrisë greke të Mjedisit dhe Energjisë. Ministria do të zhvillojë takime në tre krahina të vendit me përfaqësues të autoriteteve lokale dhe komunitetit vendas, për të diskutuar veprimet që duhen ndjekur.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.