Gazsjellësi TAP, miratohet fondi i ri për shpronësimet në Fier, Korçë, Devoll, Berat dhe Skrapar
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpronësime të tjera në kuadër të projektit të gazsjellësit TAP. Shpronësimet bëhen në kuadër të projektit për ndërtimin e linjës së tensionit dhe faciliteteve të tjera, pjesë e projektit të gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (projekti TAP) AG, në zonat Fier, Korçë, Devoll, Berat dhe Skrapar.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen do të kompensohen në vlerë të plotë, me një vlerë të përgjithshme prej 26 769 500.64 (njëzet e gjashtë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind pikë gjashtëdhjetë e katër) lekësh, për sipërfaqet, si më poshtë vijon:
– 2 505 (dy mijë e pesëqind e pesë) m², që shpronësohet;
– 39 446 (tridhjetë e nëntë mijë e katërqind e dyzet e gjashtë) m², që merret në përdorim të përkohshëm;
– 35 232 (tridhjetë e pesë mijë e dyqind e tridhjetë e dy) m², mbi të cilën vendoset servituti.
Marrja në përdorim të përkohshëm për pasuritë e paluajtshme, pronë private do të jetë me afat 1 (një) vit, për zonat e nevojshme për realizimin e punimeve, për të shtirë linjën e tensionit.
Vlera e përgjithshme e shpronësimeve dhe të gjitha shpenzimet e tjera procedurale do të përballohen nga shoqëria “TAP AG”, si subjekt kërkues.
Për likuidimin për efekt të shpronësimit, të marrjes në përdorim të përkohshëm dhe të vendosjes së servitutit mbi pasuritë e pronarëve, të përcaktuara në tabelat që i bashkëlidhen këtij vendimi, do të procedohet, si më poshtë vijon:
a) Për të gjitha pasuritë, për të cilat në kolonën përkatëse është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, pronarët do të likuidohen, pas dorëzimit në zyrat e shoqërisë “TAP AG” të dokumentacionit të pronësisë, të lëshuar nga ZVRPP-të përkatëse, të kërkesës, kopjes së kartës së identitetit, si dhe të vërtetimit për numrin e llogarisë së lëshuar nga banka përkatëse / IBAN-in;
b) Për të gjitha pasuritë, për të cilat në kolonën përkatëse nuk është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, pronarët do të likuidohen, pas konfirmimit të plotë të lëshuar nga ZVRPP-të dhe dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, në zyrat e shoqërisë TAP AG.
Përdoruesit e tokës, të cilët kompensohen për kulturat “bujqësore” dhe “drufrutorë”, referuar shumave përkatëse të pasqyruara në tabelat që i bashkëlidhen këtij vendimi, duhet të paraqesin, për likuidim, kërkesën, kopjen e kartës së identitetit, vërtetimin për numrin e llogarisë së lëshuar nga banka përkatëse/IBAN-in, si dhe certifikatën familjare, në zyrat e shoqërisë TAP AG.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht Korçë, Devoll, Berat, Skrapar dhe Fier, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë që do t’u vihet në dispozicion nga TAP AG, si dhe të pezullojnë të gjitha transaksionet për pasuritë, sipas listave që i bashkëlidhen këtij vendimi, deri në momentin kur do të realizohet regjistrimi i pasurive që shpronësohen, do të merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat do të vendoset servituti i kalimit në favor të shtetit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.