Gazsjellësit Turkish Stream-TAP – Ministri rus: Jo konkurrentë, TAP mund të transportojë edhe gazin rus
Projekti rus i nisur dhe gazsjellësi Trans Adriatik, i cili do të transportojë gazin azerbajxhanas në Europë, nuk janë konkurrentë. Deklarata ka ardhur nga ministri rus i Industrisë dhe Tregtisë, Denis Manturov.
“Turkish Stream dhe TAP nuk janë konkurrentë: Dy infrastrukturat, që kalojnë vende të ndryshme, munden në disa mënyra të quhen komplementare”, shkruan gazeta italiane ‘La Stampa’ duke cituar ministrin Manturov.
Në të njëjtën kohë, ministri ka shtuar se është e gabuar të thuhet se gazsjellësi rus është një alternativë për projektin e gazsjellësit TAP. Sipas tij, TAP mund të transportojë jo vetëm gazin azerbajxhanas, por edhe atë rus.
I të njëjtit mendim ka qenë edhe kryeministri grek, Aleksis Tsipras, i cili vetëm pak ditë më parë deklaroi se TAP mund të mbushet edhe me gazin rus.
Ndërkohë, pritet që gazsjellësi TAP të ketë ndikimin edhe në uljen e çmimeve të gazit. Të paktën kështu është shprehur drejtuesi i projektit për Italinë, Michele Elia, për Trend, i cili e ka cilësuar këtë si një ligj të thjeshtë ekonomik.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.