“Gërshëra” mbi investimet publike – Projektbuxheti 2020/ Ulen infrstruktura, Turizmi dhe Drejtësia
Për një pjesë të konsiderueshme të ministrive, dhe specifikisht disa sektorëve, zëri i investimeve publike është shkurtuar ndjeshëm për vitin 2020. Konkretisht, infrastruktura ka pasur edhe reduktimin më të lartë të fondeve, me 4.5 miliardë lekë, krahasuar me të dhënat e aktit normativ 2019. Kjo për shkak se nuk do të ketë projekte të reja infrastrukturore dhe se pjesa e fondeve që janë akorduar do të shkojnë për të kompletuar akset e nisura dhe për të paguar detyrimet kontraktore.
Në këtë pikë, rreth 3 miliardë lekë i janë hequr transportit rrugor, por është prekur edhe buxheti i furnizimit me ujë dhe kanalizime. Po ashtu, shkurtim shpenzimesh kapitale është parashikuar dhe për Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë në rreth 1.3 miliardë lekë, i përqendruar kryesisht në zërin e menaxhimit të të ardhurave tatimore dhe menaxhimin e të ardhurave doganore.
Ndërkaq, 0.5 miliardë lekë i janë hequr edhe Ministrisë së Brendshme, ku janë prekur kryesisht fondet për policinë e shtetit, dhe financimet për prefekturat dhe funksionet e deleguara të pushtetit vendor. Shkurtim fondesh, por më minimaliste, ka pasur edhe për Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Jashtme dhe atë të Turizmit.
Shkurtim fondesh për 2020-ën
Ministria e Infrastrukturës – 4.5 miliardë lekë
Ministria e Financave – 1.3 miliadrë lekë
Ministria e Brendshme – 0.5 miliardë lekë
Ministria e Drejtësisë – 242 milionë lekë
Ministria e Jashtme – 160 milionë lekë
Ministria e Turizmit -70 milionë lekë
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.