Gështenjat, sherbela, frutat e pyllit – Inaugurohet inkubatori i produkteve tipike në Reç

Gështenjat, sherbela, frutat e pyllit, bimët medicinale dhe të gjitha produktet e tjera të zonës së Reçit në Malësinë e Madhe do të përpunohen në një hapësirë të përbashkët për fermerët. Është inauguruar sot inkubatori i produkteve tipike në Reç, i cili do ti japë mundësi të gjithë fermerëve dhe amvisave të prodhojnë produkte tipike me metoda tradicionale nga njëra ana, dhe nga ana tjetër këto produkte do të jenë të certifikuara me kërkesat e tregut dhe sigurisë ushqimore. Përmes këtij inkubatori të gjithë fermerët e vegjël do të kenë akses ën treg, çmime më të larta për produktet e tyre si dhe më shumë mundësi punësimi.
Ministri i bujqësisë Niko Peleshi, në fjalën e tij tha se ky inkubator është pasqyra e Shqipërisë rurale të së nesërmes. Pelshi tha se bashkimi i fermerëve sjell përfitim dhe do të rrisë ekonominë në fshat.
“Kjo që kemi inauguruar sot, është Shqipëria rurale e së nesërmes. Ky inkubator bashkon fermerët. Gjysma e popullsisë jeton në fshat, jeta nuk është e thjeshtë, e tillë është struktura shqiptare. Ne po punojmë që krahas mbështetjes së bujqësisë, të mund të krijomë dhe mbështesim ekonomi të tjetra suplementare, siç janë produktet tipike, frutat e pyllit, bimët medicinale etj. Ky investim ju jep vlerë banorëve, prsh për përpunimin e gështenjave në kushte më të mira dhe pastaj kjo do bëj të tregtohen edhe me një çmim më të lartë. Kjo do rrisë edhe ekonominë në fshat. Në çdo fshat ja vlen të investosh një strukturë turizmi. Ka incentivë qeveritare shumë të shumë të mira. TVSh është ulur 6 për qind për agroturizmin. Tatimfitimi është ulur në 5 %. Unë iu inkurajoj që të gjithë ata që janë të interesuar, të organizohen në shoqata që ju sjellin përfitim dhe asnjë barrë”.
Në zonën e veriut janë dhënë rreth 94 milionë lekë nga programet mbështetëse të AZHBR. Drejtoresha e këtij institucioni, Frida Krifca iu bëri thirrje fermerëve për të aplikuar për programet e IPARD-it.
“Këtë projekt në prill e pamë në dosje në AZHBR, sot është bërë realitet. Në këtë inkubator do të bëhet përpunimi i sherebelit, frutave të pyllit dhe shumë produkteve të tjera të zonës, të cilat do të jenë gati për tregtim brenda dhe jashtë vendit. 89 milion lekë janë dhënë në zonën e veriut nga AZHBR. Është mbështetur vreshtaria, bletaria blegtoria. Kjo zonë ka nevojë për mbështetje të mëtejshme. Aplikimet do të mbyllen më 30 janar. Kështu që ju bëj thirrje të aplikoni për të përfituar nga programet i IPARD-it.”
Ky inkubator është i dyti në vend, pas atij të Përmetit, të dy të ndërtuar me mbështetjen e skemave kombëtare 2018.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.