Giussepe Conte zyrtarisht kryeministri i ri i Italisë: “Do jem avokati mbrojtës i italianëve”. Sfidat që e presin profesorin e koalicionit me dy koka “të nxehta”
Giussepe Conte është kryeministri i ri i Italisë. Ai vjen si propozim i Lega Nord dhe Lëvizjes 5 Yje që fituan zgjedhjet e fundit në Itali.
“Nëse do ja dal të formoj qeverinë, do të prezantoj një program në bashkëpunim me forcat e mazhorancës. Me Presidentin fola për fazën delikate dhe sfidat që na presin. Jam i vetëdijshëm për nevojën e konfirmimit të qendrimit europeist të Italisë. Kam qëllim të formoj një qeveri pro qytetarëve që përfaqëson interesat e tyre. Jam avokat e pedagog dhe në cdo seli kam në plan të mbroj interesat e qytetarëve duke dialoguar me institucionet e BE dhe te cdo vendi. Do të jem avokat mbrojtës i popullit italian” tha ai.
Edhe në këtë rast, Italia do të ketë një kryeministër që nuk është votuar direkt për detyrën e tij. Conte është një profesor i jurisprudencës, relativisht i panjohur dhe pa eksperiencë politike. Analistët italianë kanë evidentuar faktin se Conte do të jetë figura kryesore e një koalicioni jo të lehtë të krijuar nga dy forcat politike populiste me dy liderë ambiciozë për të ushtruar pushtetin e buruar nga vota.
Sistemi politik italian është i pazakontë, sidomos gjatë kohës së qeverisjes së një koalicioni, ku kryeministri i saj nuk është lideri i një partie politike po një teknik i caktuar, si kompromis mes partnerëve të koalicionit.
Ai është një profesor i jurisprudencës me një jetëshkrim të detajuar. E në momentet e propozimit si kandidat për kryeministër, ishin pikërisht detajet e jetëshkrimit të tij që krijuan polemika. Në median amerikane u ngritën pikëpyetje rreth vërtetësisë së deklarimit të tij lidhur me një studim në një universitet amerikan.
Conte ka hartuar programin për drejtësinë të prezantuar nga Lëvizja 5 Yjet.
Ai është 54 vjec dhe ka lindur në Volturara Appula, pranë Foggia-s. Ka studiuar në Universitetin La Sapienza ku në vitin 1988 është diplomuar me medalje.
Më vonë ai ka kryer studime të tjera “Yale Law School” dhe “Duquesne University” të Institutit Ndërkombëtar të Kulturës në Vjenë e më vonë në Sorbonë, Cambridge dhe në “New York University” ( për këtë të fundit u ngritën pikëpyetje).
Conte ishte projektuar nga kreu i Lëvizjes 5 Yje si ministër i Administrimit Publik por që rrethanat politike bënë që ai të jetë kryeministri i 58 i Italisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.