“Gjallërohet” transporti ajror – AAC: Tregu u zotërua nga kompania “Wizz Air”, “Blue Panorama” del nga tregu
Lehtësimi i masave të lëvizjes nga shumë shtete ka rigjallëruar transportin ajror, në 6-mujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Aviacionit Civil, përmes aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” për periudhën janar-qershor kanë udhëtuar rreth 756 058 pasagjerë, duke u rritur me 36,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Megjithatë, pavarësisht këtyre shifrave pozitive, në raport me vitin 2019, që nuk ishte një vit pandemik, shifrat janë më të ulta.
Kjo pasi për periudhën janar-qershor 2019 përmes aeroportit “Nënë Tereza” udhëtuan 1.411.479 pasagjerë apo 46.5% më shumë se sivjet. Ndërkaq, bazuar në të dhënat zyrtare, kompania “Wizz Air” ka zotëruar tregun me 35% të totalit të pasagjerëve gjatë 6-mujorit, duke shënuar rritje në raport me vitin 2020, ku zotëroi 24% të totalit. Në vend të dytë për 6-mujorin renditet kompania “Air Albania”, që ka zotëruar 17% të tregut ajror, ndërsa në vendin e tretë kompania “Albawings”, me 8% të totalit. Ndërkaq, ajo që bie në sy është fakti se kompania “Blue Panorama”, që gjatë vitit 2020 ishte një nga 3 kompanitë më të mëdha zotëruese të tregut, gjatë këtij 6-mujori nuk ka asnjë përqindje, çka sugjeron daljen e saj nga tregu ajror shqiptar.
Industria e aviacionit ishte ndër sektorët më të goditur dhe ai që po e ndjen më shumë impaktin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Kjo për shkak të ndalimit të fluturimeve, pezullimeve të përkohshme dhe masave të shtuara nga shtete të ndryshme, çka kanë ulur ndjeshëm numrin e fluturimeve dhe udhëtarëve të ajrit.
Numri i pasagjerëve në transportin ajror
6-mujori 2019 1.411.479 pasagjerë
6-mujori 2020 554.877 pasagjerë
6-mujori 2021 756.058 pasagjerë
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.