Gjatë krizës u tërhoqën më pak lekë – BSH: Tërheqjet cash në arka ranë me 9.6% në T2
Ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm, në tremujorin e dytë të vitit, individët kanë tërhequr më pak para nga arkat e sistemit bankar në vendin tonë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Për bizneset ndërkohë, vihet re një rritje mjaft e lehtë e tërheqjeve cash në arkë. Kështu, të dhënat e Bankës së Shqipërisë për tremujorin e dytë të vitit, flasin për rreth 73 mld lekë të tërhequra cash në arkat e bankave që operojnë në vendin tonë, krahasuar me rreth 80 miliardë lekë të tremujorit të parë të vitit.
Rënia është në masën 9.6%, tregojnë të dhënat. Sa i përket bizneseve ndërkohë, në tremujorin e parë u tërhoqën 95 mld lekë, ndërsa në tremorin e dytë, 98.6 mld lekë, në rritje me 3.78%. Pra, të dhënat, si për bizneset, por sidomos për individët, tregojnë se pandemia dhe frika e shkaktuar si pasojë e izolimit dhe krizës së rëndë ekonomike, nuk është përkthyer aspak në pasiguri për kursimet apo të ardhurat e tyre, nga ana e depozituesve apo biznesit.
Të dhënat i referohen vetëm tërheqjeve cash në arkat e bankave që operojnë në vendin tonë. Të dhënat sinjalizojnë gjithashtu se fluksi i tërheqjeve nuk ka rënë, por vetëm vlera, çka tregon për më shumë transaksione tërheqje parash cash, për një vlerë më të vogël. Kjo gjë vihet re si për individët, ashtu edhe për bizneset. Rënia e aktivitetit ekonomik gjatë kulmit të krizës si dhe rënia e qarkullimit të parasë duket se ka ndikuar në këtë tendencë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.