Gjelbërimi dhe mbjellja e pemëve kushtuan 48.5 mln lekë – Investimet u dyfishuan në krahasim me 2016

Gjatë vitit që lamë pas, mirëmbajtja e sipërfaqeve të gjelbra të qytetit dhe mbjellja e pemëve të reja i kushtuan buxhetit të kryeqytetit rreth 48.5 milionë lekë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit pjesa më e madhe e kësaj vlere shkoi për shtimin e pemëve dhe bimëve të tjera, veçanërisht gjatë tremujorit të fundit të vitit. Mbjellja e kurorës së gjelbër të qytetit llogaritet të ketë kushtuar mbi 18.4 milionë lekë.
Buxheti i 2017-ës i APR është pothuajse dyfishuar në raport me atë të vitit 2016, për shkak edhe të politikave për mbjelljen e më shumë pemëve, por edhe për faktin se tashmë nën mirëmbajtje është një sipërfaqe më e madhe, për shkak të parqeve të reja dhe zonave rekreative që i janë shtuar kryeqytetit.
Siç duket edhe nga grafiku i mëposhtëm, investimet për mbjellje të reja janë rritur ndjeshëm nga viti paraardhës, ku për këtë qëllim u shpenzuan vetëm 8.5 milionë lekë.

Pjesa tjetër e buxhetit të shpenzuar ndahet mes kostos për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbëruara, si edhe për bazë materiale.
Ndër punimet e raportuara për mirëmbajtjen e parqeve të Tiranës, përfshihet mbjellja e mbi 6500 drurëve dekorativë, gati 8 mijë shkurreve dekorative dhe mbi 31 mijë luleve dekorative.
Statistikat e publikuara në faqen e Bashkisë së Tiranës tregojnë se gjatë 2017, qytetit iu shtuan 152 stola të rinj, si edhe 68 kosha.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.