Gjendja drejt normalizimit pas tërmetit që goditi Egjeun

Situata në Ishullin Kos në Greqi po normalizohet, pas tërmetit të mëngjesit të djeshëm ku dy persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën rëndë.
Gjatë natës janë regjistruar 29 lëkundje të vogla, dhe disa prej tyre kanë qenë të ndjeshme dhe kanë shkaktuar frikë mes banorëve të ishullit. Disa prej tyre kanë preferuar të flenë jashtë shtëpive duke ngritur çadra në parqet dhe sheshet e ishullit.
Megjithatë, shumica e rezidentëve dhe turistëve zgjodhën të qëndronin në shtëpitë e tyre dhe në hotele, duke pritur që vibrimet e tokës të përfundonin.
Turma të mëdha i janë drejtuar edhe Aeroportit Ndërkombëtar të Kosit, teksa pushuesit përpiqeshin të linin ishullin grek.
Ndërkohë, emergjencat civile në vend kanë caktuar një mbledhje të radhës dhe do të zyrtarizojnë instalimin e pesë sizmografëve dhe tre akseleratorëve të rinj në ishull, të cilët do të monitorojnë më mirë aktivitetin sizmik të vërejtur në zonë.
Nga inspektimet e para, rezulton se shumica e shtëpive kanë pësuar një dëm minimal dhe kanë vetëm disa probleme të vogla për furnizimin me ujë dhe lidhjen me rrjetin elektrik. Sipas autoriteteve këto shërbime do të rilidhen brenda ditës së sotme.
Sakaq, impakti i tërmetit ishte më i vogël në Bodrum dhe ekipet në terren po vizitojnë klientët nëpër hotele, në mënyrë që t’u ofrohet ndihma e nevojshme.
Problemi më i madh me të cilin do të përballet tashmë rajoni janë pushuesit e frikësuar të cilët duan të anulojnë udhëtimet e tyre.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.