Të dhënat e INSTAT: Në tre vite, çdo banor gjeneron 23.5% më shumë mbetje
Rritet gjenerimi i mbetjeve në vendin tonë. Vetëm gjatë tre viteve të fundit çdo banor gjeneron 75 kg më shumë mbetje ose 23.5% më shumë se në vitin 2013.
Por pavarësisht shtimit të sasisë së mbetjeve të gjeneruara çdo vit shkalla e menaxhimit të tyre është në ulje çka do të thotë se kjo ka efekt direkt në shtimin e ndotjes së mjedisit .
Sipas statistikave zyrtare në vitin 2016 rezulton të jenë menaxhuar 1.3 milion tonë mbetje nga 1.4 milion tonë në vitin 2015, duke shënuar një rënie me rreth 8 pikë përqindje.
Sipas INSTAT në vitin 2013 janë gjeneruar përkatësisht 321 kg për banor kjo shifër rritet në vitin 2014 me 355 kg për banor dhe në 2016 shkon në 396 kilogram mbetje e gjeneruar për banor .
Sasia në përqindje e mbetjeve industriale të përziera në burim bashkë me ato urbane ka qenë jo stabël me tendencë të lehte ulje në vitet e fundit sipas Institutit të Statistikave zyrtare .
Në vitin 2016 sasia e mbetjeve jo urbane të menaxhuara bashkë me ato urbane ishte 17,0 %, në vitin 2015 ishte 19,0 % duke shënuar një rënie me 2 pikë përqindje.
Vetëm një ditë më parë ministri i mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi u shpreh se pastrimi i mjedisit do të jetë prioritar për institucionin që ai tashmë drejton , duke nënvizuar se mbetjet janë ndër frenuesit kryesor në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në Shqipëri .
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.