Gjeoshkencat ndryshojnë parashikim – Ulet intensiteti i reshjeve, rrezik përmbytje vetëm Vjosa
Buletini i fundit i Institutit të Gjeoshkencave raporton për ulje të intesitetit të reshjeve të shiut, ndërkohë që gjatë ditës së shtunës dhe të dielës, reshjet maksimale 24 orare, priten mesatare deri lokalisht intensive.
Po ashtu, në krahasim me një ditë më parë nuk ka alarm për përmbytje urbane ose nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël nëpër qarqe, pasi këto përmbytje e kanë kaluar pikën kritike përgjatë natës së kaluar.
Ndërkohë, mbeten aktive paralajmërimet për vazhdimin e përmbytjes nga Lumi Vjosa në qarqet Fier dhe Vlorë.
Nga llogaritjet e fundit hidrologjike rezulton se, në pjesët fushore të këtyre lumenjve do të vazhdojë përmbytja me prurje shumë të larta nga ky lumë.
Efektet kryesore të përmbytjeve në pjesët fushore në qarqet Vlorë dhe Fier do të vazhdojnë përgjatë së shtunës, ndërkohë që Vjosa do të fillojë të tërhiqet në shtratin e tij natyral përgjatë fundit të ditës së Hënë.
Po ashtu, sipas Institutit të Gjeoshkencave në pjesët e sipërme të baseneve në qarqet Elbasan, Gjirokastër dhe Berat do të ulet rreziku nga përmbytja.
Gjithashtu, nga harta janë hequr edhe shenja për rrëshqitje dheu, të cilat një ditë më parë ishin prezente në 11 qarqe të vendit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.