Gjergji Gjika thirrje në ‘Argument’: “Ka ardhur koha që fasoneria të prodhojë produkte Made in Albania. Të konkurojmë në Europë dhe Ballkan”
Në emisionin e mbrëmjes së sotme “Argument” me gazetarin Enio Civici është diskutuar rreth reflektimit të programit të partive politike mbi kërkesat e shoqatave të biznesit.
Gjergj Gjika, si përfaqësues I industrisë fasone, një nga sektorët më të rëndësishëm të punësimit në Shqipëri është shprehur se politiak nuk i ka reflektuar kërkesat e përcaktuara qartë të këtij sektori dhe se gabimi kryesor është se janë zgjidhje të “një kohe normale”:
“Nëse edhe ju do e kishit të qartë se kërkesat tona legjitime do ishin të pasqyruara ne nuk e kishim pse e bënim këtë emision. Programet e partive politike kanë në fokus elementët makro të ekonomisë dhe ato nuk kuptojnë se, e para po bëjmë zgjedhje në kushte të jashtëzakonshme, së dyti edhe Shqipëria është në kushte të tilla dhe së treti ne nuk po presim zgjidhje të zakonshme. Këta po japin zgjidhje sikur të ishim në një situatë normale që nuk është e vërtetë. Nga anketa e fundit tregohet se dhjetë nga gjashtë biznese janë drejt mbylljes dhe në një situatë të tillë duhet një plan emergjence i jashtëzakonshëm.”
Në emisionin “Argument” z.Gjika gjithashtu ka bërë një thirrje për të gjithë prodhuesit shqiptarë në industrinë fasone që ka ardhur momenti për të ristruktuar këtë sektor dhe vendi ynë të dalë me një produkt “Made in Albania” që sipas tij do të furnizonte edhe tregun evropian.
“Ne kemi një traditë të ngritur prej dhjetë vjetësh dhe qepim për markat më të mira.
Tani ka ndodhur një fenomen i ri, ku tregu europian po ristrukturohet dhe të tjerë klientë po sjellin mallra në Europë dhe të tjerë klientë po punojnë për këtë treg. Ne kemi momentin për të gjetur vendin tonë dhe ka ardhur koha të dalim produkte “Made in Albania”, të mbledhim të gjithë forcat dhe të dalim me një produkt të plotë, të certifikuar.
Tashmë duhet të prodhojmë për tregun shqiptar dhe ballkanik. Nëse kemi punuar për kaq shumë kohe me të gjithë markat më të mira në botë, nuk ka pse publiku të mos vlerësojë produktin tonë.”
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.