Gjermanët kundër Greqisë – Jo lehtësimit të borxhit, një në tre duan “Grexit”
Nuk është vetëm qeveria gjermane kundër Greqisë, por edhe vetë gjermanët. Një anketë e fundit tregon se, thuajse gjysma e qytetarëve në Gjermani janë kundër lehtësimit të borxhit grek.
Por statistika më e rëndë, është ajo që tregon se, thuajse një në tre gjermanë kërkon që Greqia të dalë nga rajoni i monedhës së përbashkët.
Anketa e publikuar në të përditshmen “Bild” tregon se, 46.4% e gjermanëve janë të mendimit se, lehtësimi i borxhit grek është një padrejtësi kundrejt partnerëve të tjerë të Eurozonës.
Vetëm 18.4% e tyre janë në favor të lehtësimit të borxhit helen. Greqia është prej kohësh në ngërç, paçka se, me planin e tretë të shpëtimit, të firmosur rreth një vit e gjysëm më parë, u duk se makthi kishte marrë fund.
Por, përplasjet mes kreditorëve europianë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pikërisht për çështjen e lehtësimit të borxhit grek, si dhe përplasjet mes vetë Athinës dhe kreditorëve, kanë komplikuar së tepërmi situatën, deri aty sa, është rikthyer në skenë skenari “Grexit”.
E mesa duket, gjermanët nuk janë aspak kundër këtij skenari, pa llogaritur pasojat që do të kishte. Vetëm një ditë më parë, kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, deklaronte se, Greqisë nuk i nevojitet një shkurtim i borxhit.
Gjermania ka qenë dhe mbetet kundërshtare e flaktë e këtij skenari të shpëtimit të Greqisë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.