Gjermanet “Siemens” dhe “SAP” firmosin marrëveshje bashkëpunimi me Arabinë Saudite

Kompanitë gjermane “Siemens” dhe “SAP” do të luajnë një rol të rëndësishëm në rrugëtimin e Arabisë Saudite drejt “transformimit dixhital”. Është kjo deklarata e bërë nga zyrtarët e kompanive, gjatë takimit të Kancelares Angela Merkel në këtë vend ditën e diel.
Drejtuesit kryesorë në konglomeratin e inxhinierisë dhe të kompanisë së programeve për biznese, të cilët udhëtonin së bashku me Merkel, firmosën një deklaratë për qëllim bashkëpunimi me autoritetet saudite.
Objektivi i vendit është të shtyjë Arabinë Saudite në një transformim ekonomik afatgjatë të quajtur “Vision 2030”, në përpjekje për të ulur varësinë e vendit ndaj naftës, për të tërhequr investime dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
“Siemens” firmosi bazën e një marrëveshjeje me Programin Kombëtar Saudit për Zhvillimin e Grupit të Industrive. Sipas gjermanëve, kjo mund të sjellë një sërë projektesh për infrastrukturën me vlerë të paktën disa miliarda euro.
Kompania dëshiron gjithashtu të ofrojë trajnime profesionale në Arabinë Saudite, ndërsa “SAP” ka rënë dakord me Ministrinë e Planifikimit për të bashkëpunuar në përpjekjet e vendit drejt dixhitalizimit.
Në delegacionin e bizneseve gjermane që po udhëton bashkë me Merkel në Gjirin Arab, ishin edhe drejtuesit kryesorë të “Lufthansa”, operatorit gjerman të hekurudhave “Deutsche Bahn” dhe të grupit të shërbimeve industriale “Bilfinger”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.