Gjermani, bien kambanat e recesionit – Tkurren eksportet si pasojë e luftës tregtare
Eksportet gjermane ranë më shumë se ç’pritej në muajin Gusht, duke përforcuar pritshmëritë e analistëve se tkurrja e manifakturës po çon ekonominë më të madhe të Europës në recesion.
Fabrikat gjermane të varura nga eksportet po ndiejnë ndikimin e ngadalësimit të ekonomisë botërore, luftës tregtare dhe Brexit. Zyra Federale e Statistikave deklaroi se eksportet e përshtatura ndaj efekteve sezonale ranë me 1.8% gjatë muajit, ndërsa importet u rritën me 0.5%.
Suficiti tregtar u tkurr në 18.1 miliardë euro, nga 20.5 miliardë euro që qëndronte në Korrik. Ekonomia u tkurr me 0.1% në tremujorin e dytë dhe të dhënat e fundit tregojnë për një rënie të aktivitetit edhe në tremujorin e tretë.
Ekonomistët e përkufizojnë recesionin si dy tremujorë radhazi të tkurrjes se Produktit të Brendshëm Bruto. Rënia e eksporteve ishte më e pjerrëta që prej muajit Gusht. Sipas të dhënave, rënia më e madhe, me 4.8%, ishte drejt vendeve të treta përtej Bashkimit Europian, që përfshijnë Kinën.
Ngadalësimi i ekonomisë gjermane përbën sfida për Bankën Qendrore Europiane, që premtoi stimuj monetarë në takimin e Shtatorit për të mbështetur ekonominë.
Ekonomistët dhe grupet gjermane të lobimit i kanë bërë thirrje kancelares gjermane Angela Merkel që të braktisë politikat e buxhetit të balancuar dhe të marrë hua për të financuar stimujt për ekonominë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.